Kosova, pritje shtetërore Stefanovicit

Borko Stefanovic është zyrtari i parë serb të cilit Qeveria e Republikës së Kosovës do t’i organizojë pritje të karakterit shtetëror.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi do ta presë atë të enjten në Zyrën e tij. Kjo, pasi shefi i delegacionit të Serbisë në bisedimet me Kosovën të martën pasdite ka kërkuar leje për vizitën dhe Kuçi i është përgjigjur pozitivisht, shkruan Koha Ditore.

“Është menduar të ketë takime me ne dhe opozitën. Do ta pres në zyrën time”, ka thënë Kuçi. “Kërkesa për t’i dhënë leje që ta vizitojë Kosovën ka ardhur. Unë kam premtuar se do të përgjigjem pozitivisht”, ka shtuar ai.

Por dyert e Kuvendit nuk do të hapen për zyrtarin serb. Kryeparlamentari Jakup Krasniqi nuk do ta rezervojë në agjendën e së enjtes një termin për të.

“Ai mund të vijë dhe të ketë takime me zyrtarë të Qeverisë, por nuk e shoh të arsyeshme në parim që të ketë takime edhe me Parlamentin”, ka thënë Krasniqi.

Deri të martën pasdite Stefanovici nuk kishte kërkuar leje, dhe kishte deklaruar më herët se nuk kishte nevojë ta bënte një gjë të tillë. Nëse do të vepronte kësisoj, sipas Kuçit, ai do të ndalej nga autoritetet e rendit dhe do të kthehej në Serbi.

Në prag të përgatitjeve për raundin e katërt të bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, shefi i ekipit negociator të Serbisë ka paralajmëruar gjatë ditës se do të vizitojë kryeqendrën e Kosovës, ku planifikon që të takohet me homologen kosovare, Edita Tahiri, por edhe me zyrtarë tjerë qeveritarë dhe përfaqësues të partive politike, sikurse edhe me përfaqësuesit e komunitetit serb në të dy anët e Ibrit.

Në një prononcim për portalin Vijesti, Stefanovic ka konsideruar se është mirë që të dyja palët të takohen më shpesh dhe jo vetëm në takimet zyrtare në Bruksel, për shkak të numrit të madh të çështjeve të hapura.