Geci: Azem Syla deshi të më vriste

Foto:Arkiv
Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Gani Geci, pretendon se ka dëshmi që anëtari i Kryesisë së PDK-së, Azem Syla, e ka paguar vrasjen e tij me 200 mijë marka gjermane. Siç thotë ai, kjo ka ndodhur diku në vitin 2001. Me këtë rast, sipas tij, ka kohë që është e njoftuar Policia e Kosovës dhe ajo e EULEX-it, mirëpo incizimin e dëshmisë thotë se nuk e ka dorëzuar tek Prokuroria.

Në një intervistë të gjatë për “Kohën Ditore”, Geci thotë se ish-shefi i Shtabit të UÇK-së, që tash është deputet i Kuvendit të Kosovës, nuk mund të “pastrohet” me familjen Geci vetëm përmes ligjit të shtetit, por edhe përmes Kanunit të Lekë Dukagjinit.

I kërkon atij që t’i mbledhë 48 pleq në Kullën e Rifat Jasharit në Prekaz dhe aty të betohet se nuk ka gisht në atentatin që është bërë ndaj tij, e ku kanë mbetur të vrarë edhe Bekim Kastrati e Besim Dajaku.

Ish-kryetari i Komisionit për mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, tregon se personalisht e ka njoftuar kryeministrin Hashim Thaçi se Nazim Bllaca do të dilte publikisht për ta pranuar se ka qenë pjesëtar i SHIK-ut dhe se ka marrë pjesë në vrasje dhe kidnapime. Thotë se Thaçi është pajtuar me publikimin e DVD-së së Bllacës duke thënë “kush çka ka bërë, ka për ta gjetur”.