Ford Transit Supersportvan

Kompania “Ford” vazhdimisht na befason me ndonjë veturë specifike “furnizuese” në versionin sportiv. Modeli më i ri në këtë segment pa dyshim që është Ford Transit SuperSportVan. Makina e këtillë e “Ford-it” e cila qëllim primar ka transportin e mallrave është prodhuar duke u bazuar në modelin serik me rrota 18-inç të cilin e vë në funksion motori turbodiesel me 140 KF.
Vetura Ford Transit SuperSportVan është një “kafshë” e llojit tjetër. Karrocerinë me hapësirën më të shkurtë ndërboshtore e vë në funksion motori 3.2-litra Duratorq TDCi turbo diesel me pesë cilindra me fuqinë më të madhe prej 200 KF dhe momentin më të madh rrotullues prej 470Nm në vargun prej 1700 deri 2500 rr/min. Për transmisionin e fuqisë dhe momentit e shfrytëzon ndërruesin me gjashtë shpejtësi.
Karroceria është më e ultë, shfrytëzon gomat e profilit të ultë 235/45, ka ngjyrë sportive me vizatime të kaltra dhe të bardha, ndërsa është e pajisur edhe me pakon “aero”. Fatkeqësisht, bëhet fjalë vetëm për koncept, dhe jo automobil serik. Ky koncept është bërë me rastin e sallonit të makinave komerciale “NEC” që u mbajt në Birmingham në Britaninë e Madhe.
Në fakt “Ford UK” ka traditë të madhe të prodhimit të furgonëve sportivë të mallrave, në vitin 1971 bazuar në GT40 është prodhuar Ford Transit Supervan (5.0 V8), pastaj në vitin 1984 u prodhua Ford Supervan II me motorin V8 Cosworth, në vitin 1995 Ford Supervan III me motorin e marrë nga Formula 1 me 650 KF, ndërsa në vitin 2000 është prodhuar Ford World Rally Transit i ngjyrosur me ngjyrat e garave të “Martini-t” dhe ky e kishte motorin 2.4 Duratorq DI me 165 KF.