Berisha: Rezultati në Tiranë i ngushtë institucionet e vendosin

Kryeministri Sali Berisha në një konferencë për shtyp të mbajtur mesditën e sotme deklaroi se të gjithë shqiptarët duhet të presin që rezultatin e zgjedhjeve për Tiranën ta nxjerrin institucionet. Edhe pse gara është shumë e ngushtë sipas Berishës, duhet të numërohet çdo votë.

“Të ndjekim rezultatin përfundimtar të garës për Tiranën. Zgjedhjet janë çështje e shtetit ligjor, janë prova e funksionimit të këtij shteti. Garantoj qytetarët shqiptarë që shteti ligjor i ka të gjitha potencialet për t’i dhënë zgjidhje garës së ngushtë në Tiranë. Ky rezultat do dalë përmes një procesi ligjor”, deklaroi kryeministri.
Kryeministri falënderoi edhe partnerët ndërkombëtarë për apelet që i kanë drejtuar vendit, duke thënë se ato janë të gjitha dashamirëse. Është ligji sipas Berishës, që do zgjidhë pozicionin delikat në Tiranë. Janë institucionet, sipas tij që do nxjerrin këtë rezultat.
"Ligji do zgjidhë edhe këtë pozicion delikat. Ligjet e vendit dhe institucionet kanë të gjitha mundësitë për të dhënë zgjidhje ligjore. Falënderoj miqtë që na bëjnë thirrje për zgjidhje ligjore. Duan të shohin në këtë vend funksionimin e plotë të shtetit ligjor. Çdo shqiptar do ndjehet krenar, s’ka pse të jetë ndryshe, institucionet për të cilat ka investuar nuk janë të përsosura por kanë potenciale të nxjerrin përpara të gjithëve rezultatin final të këtyre zgjedhjeve”, shtoi Berisha më tej.Aktiv