Tre sekondat që SHBA-ja nuk do t’i falë kurrë!


Ky është tregimi për njërën prej ngjarjeve më të njohura në botën e sportit, ngjarjes për shkak të së cilës thyhen shtizat edhe sot. Ishte ai takimi që humbësi sot e asaj dite nuk e pranon se ka humbur, e fituesit, si gjithnjë, rrijnë të qetë dhe e përcjellin nervozën e humbësit. Fjala është për turneun final të Lojërave Olimpike të mbajtura më 1972 në Munchen të Gjermanisë.

Finalja ku ishin ballafaquar kundërshtarët e Luftës së Ftoftë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Sovjetik. Amerikanët deri atëherë nuk e kishin humbur asnjë ndeshje në Lojërat Olimpike, e në këtë finale ndodhën disa gjëra të papara, të cilat sollën deri të fitorja e rusëve, e amerikanët, të zemëruar me arbitrat, mirëpo edhe me vendimet e tavolinës zyrtare, kishin bërë një gjest jo sportiv. Kishin refuzuar të marrin medaljet e argjendta, e ato edhe sot e kësaj dite, të pandara, qëndrojnë në muzeun olimpik të Lozanës.
Lojërat Olimpike në Munchen kanë mbetur në kujtesë me këtë skandal në ndeshjen finale, mirëpo ai kishte mbetur nën hije të sulmit terrorist të palestinezëve ndaj sportistëve izraelitë, kur palestinezët rrëmbyen 11 e vranë 2 sportistë prej tyre.
Pas këtij rasti të rëndë Komiteti Olimpik Ndërkombëtar kishte marrë vendim që garat të vazhdojnë, pasi që duhet ndarë sporti nga politika. Kështu kjo finale e basketbollit dhe të gjitha të arriturat sportive, si ajo e notuesit amerikan Mark Spitz, që fitoi shtatë medalje të arta, ra në margjinë. Me kalimin e kohës, filloi të analizohej finalja amerikano-ruse, me një përfundim, se në basketboll gjithçka është e mundur.
Tërë takimi ishte i barabartë dhe në minutën e fundit, bile në sekondat e fundit, sollën një dramë të vërtetë. Edhe pse amerikanët ishin shpallur si favoritë, rusët kishin qëndruar jashtëzakonisht mirë, duke mos lënë amerikanët të shkëputen në rezultat.
Duhet ditur se ai nuk ishte ekipi më i mirë i amerikanëve, por vetëm ekipi më i mirë i ligës së studentëve. Hera e parë që ekipi më i mirë i NBA-së kishte marrë pjesë në Olimpiadë ishte në vitin 1992, të mbajtur në Barcelonë. Ishte ai “dream team” amerikan që shkeli të gjithë rivalët.
Gjashtë apo shtatë sekonda para përfundimit, pranë rezultatit 50:49 në të mirë të amerikanëve filluan të ndodhin gjërat e çuditshme. Së pari semafori tregoi që koha ka kaluar dhe ndeshja ka përfunduar. Mirëpo arbitrat në marrëveshje më tavolinën zyrtare vendosën që ndeshja të luhej edhe një sekondë, e topi ishte në dorë të rusëve. Sulmi rus përfundoi pa sukses dhe koha kaloi, e të gjithë amerikanët filluan t’i gëzohen fitores, duke përqafuar njëri-tjetrin.
Mirëpo sovjetët i kishin rrethuar arbitrat dhe tavolinën zyrtare dhe sërish erdhi te ndryshimi. Dhe u vendos se ishte bërë një gabim gjatë matjes së kohës dhe aksioni duhej të zhvillohej sërish, mirëpo kësaj radhe kishte tre sekonda deri në fund të finales.
E amerikanët pas gëzimit, të habitur me këto vendime, duhej të koncentroheshin sërish në lojë. Por kësaj radhe rusët ishin më të saktë dhe shfrytëzuan tre sekondat e dhuruara nga arbitrat dhe tavolina zyrtare, që të shënojë dy pikë dhe në fund edhe të fitojnë finalen.
Ndeshja u mbyll me rezultat 51:50 për rusët, derisa amerikanët vazhdojnë të mos e njohin këtë rezultat. Pikët historike i kishte shënuar Aleksanar Bellov! Amerikanët ishin ankuar dhe ajo kishte arritur deri në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, mirëpo e cila nuk ishte marrë parasysh. (B.D)