S’ka para nga FMN-ja për sivjet


Kosova ka kërkuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) që t’i monitorojë reformat e saj ekonomike dhe financiare gjatë gjithë vitit 2011, pas shkeljes së marrëveshjes për huamarrje që ka bërë qeveria duke rritur pagat, ka thënë të martën një zyrtar i qeverisë për Reuters.

Duke bërë përpjekje për të rregulluar relacionet me FMN-në pas kërkesës së Komisionit Evropian, i cili është donatori më i madh, Qeveria e Kosovës ka vendosur që t’’i lejojë FMN-së që ta mbikëqyrë në këmbim të një ndihme më të madhe për vitin 2012.
“ Programi për monitorimin e stafit (SPM) do të jetë valid deri në fund të këtij viti. Që do të thotë se për këtë vit nuk do të kemi para nga FMN-ja, por synojmë që të kemi një marrveshje me Fondin në fillim të vitit të ardhshëm”, ka thënë burimi i qeverisë Reutersit.
"Marrëveshja e re do të jetë më e madhe sesa kjo”, ka thënë ky zyrtar, duke iu referuar marrëveshjes prej 108 milionë euro e arritur korrikun e vitit të kaluar. Zyrtari i cili preferoi të mbetet anonim nuk e ka specifikuar se sa do të jetë shuma e një marrëveshjeje tjetër me FMN-në.
FMN-ja nuk ka reaguar publikisht, por pritet që të mërkurën të dalë me një deklaratë lidhur me marrëveshjen, ka thënë zyrtari i qeverisë.
Edhe në përfaqësinë e FMN-së në Kosovë është konfirmuar se do të dalin me një deklaratë rreth kësaj çështjeje, duke mos dhënë detaje.