24 tituj për 17 vjet karrierë, ja çfarë la pas Paul Scholes


Mesfushori legjendar i Manchester United, paul Scholes përfundimisht i ka dhënë fund karrierës së tij të gjatë dhe të suksesshme si futbollist aktiv.
Scholes i cili është një produkt i akademisë së Manchesterit ishte pjesë e grupit të famshëm të mesit të viteve 90-ta, dhe që atëherë ka luajtur më shumë se 650 ndeshje për djajtë e kuq. Ai njihet si një ndër futbollistët më të mirë anglez të gjeneratës së tij.

Gjatë tërë jetës së tij ai ka luajtur vetëm për Manchester United me të cilët nga viti 1994 kur edhe kishte debutuar ka fituar 24 tituj duke përfshirë këtu 10 tituj të premierligës dhe dy të Ligës së Kampionëve.
Kështu që përkundër faktit se ai po largohet nga futbolli aktiv, Old Traffordi, qyteti i Manchesterit, Anglia dhe mbarë bota e futbollit do ta kujtojnë dhe do ta fusin atë në sirtarët e tyre si një ndër mesfushorët më të mirë që ka ekzistuar ndonjëherë pasi që ai pas vetës ka lënë një trashëgimi të madhe.
Edhe pse në moshën 36-vjeçare klubi i kishte ofruar atij edhe një vit kontratë mirëpo “moxarti” anglez vendosi që të thotë mjaftë dhe tani do të jenë pjesë e stafit të trajnerëve të Sir Alex Fergusonit. Në një deklaratë të lëshuar në faqen zyrtare të Manchester United, Scholes ka cituar.
“Unë nuk jam njeri i fjalëve të shumta, por mund të ju them me sinqeritet se të luaj futboll ishte ajo që gjithmonë kam dashur të bëj dhe të kem një karrierë kaq të gjatë dhe të suksesshme në Manchester United ka qenë plotësisht një nder i veçantë. Ky nuk është një vendim të cilin e kam marr lehtë mirëpo e ndjej se tani është koha e duhur për mua që të ndaloj së luajturi".
"Të jem pjesë e kësaj skuadre dhe të ndihmoj drejt sukseseve dhe titullit të 19-të është një privilegj i madh. Dëshiroj të falënderoj të gjitha tifozët për mbështetjen e madhe të tyre gjatë karrierës sime e poashtu edhe të gjithë trajnerët dhe futbollistët me të cilët kam punuar gjatë viteve. Mirëpo mbi të gjitha dëshiroj të falendëroj Sir Alex Fergusonin që ka qenë një trajner aq i mrekullueshëm. Që nga dita kur kam hyrë në dyert e klubit ai ka qenë gjithmonë i hapur me mua dhe e di se kjo skuadër do të vazhdoj të fitoj edhe shumë trofe nën udhëheqjen e tij”, shkruan Scholes.
Skocezi Sir Alex tha se Scholes apo si e ka quajtur ai “diamanti i kuq” është një figurë inspiruese për të gjithë njerëzit. “Çfarë mund të them më shumë për Scholes e që nuk e kam thënë më herët. Do të na mungojë shumë pasi që ka qenë një futbollist i pabesueshëm. Ai ka qenë gjithmonë shumë i përkushtuar dhe shumë shpejtë ai do të bashkohet me stafin tonë të trajnerëve. Scholes gjithmonë ka qenë një figurë inspiruese për futbollistët e të gjitha moshave dhe do të vazhdoj të jetë ashtu”, tha Ferguson.
Me të dëgjuar për pensionimin e Scholes shumë futbollistë nga e mbarë bota kanë shprehur keqardhjet e tyre për pensionimin e tij mirëpo edhe krenarinë që kanë luajtur përkrah dhe kundër magjistarit të heshtur.
Wayne Rooney ishte ndër të parët që u deklarua rreth Scholes. “Do na mungojë shumë. Jemi të dëshpëruar që do ta lërë futbollin. Ishte i mrekullueshëm si për United dhe për kombëtaren. Është lojtari më i mirë me të cilin kam luajtur”, tha Rooney.
Mbrojtësi i Barcelonës Gerrard Pique ka shtuar: “Një ndër futbollistët më të mirë që kam parë me sytë e mi. Ai ka dhuruar gjithmonë spektakël dhe sot ndihem krenar që kam luajtur përkrahë tij”, tha Pique.
Mesfushori i Arsenalit Samir Nasri e ka quajtur atë “Zidani Anglez”. “Ndihem vërtet i pikëlluar për pensionimin e tij, futbollist i mrekullueshëm, ai ka qenë Zidani anglez”, tha Nasri në rrjetin social Twitter. (A. M.)