Shpërthen Facebook, me faqe personale 90% e fëmijëve 10 vjeç


Ju ka ndodhur të çuditeni se dinë të përdorin Facebook-un më mirë se ju?Apo t’i shihni të gozhduar përpara kompjuterit duke “chat”-uar e duke bërë biseda të rriturish? Nëse flasim për adoleshentët, asnjëra nga këto pyetje nuk të ngjall habi, por kur bëhet fjalë për fëmijë 10 vjeç apo më të vegjël, gjërat ndryshojnë disi. Vetë kompania Facebook e ka cilësuar si

të ndaluar çdo përpjekje të fëmijëve nën 13 vjeç për të pasur një profil personal. Por, tek ne janë me mijëra që të dhënat i kanë të rreme. Një pjese të tyre ua hapin vetë prindërit faqet në rrjetet sociale. Fillimisht për t’u plotësuar një tekë e, më pas, kur situata u del jashtë kontrollit, janë ata të parët që nisin ankesat. Janë jo pak, por rreth 90% e fëmijëve të moshave nga 10-16 vjeç që janë të regjistruar në një nga rrjetet sociale (Facebook, My space apo Hi5). Të dhënat vijnë nga Komisioneri për mbrojtjen e të dhënave personale. Nga studimi i kryer tek kjo grupmoshë, specialistët kanë nxjerrë një sërë të dhënash për kohën që i kushtohet përdorimit të rrjeteve sociale. Rreth 46 % e fëmijëve shikojnë çdo ditë profilin e tyre dhe po kaq i shtojnë materiale të reja. Nuk mungojnë as miqësitë e reja me persona të panjohur. Plot 42% e fëmijëve dhe adoleshentëve pranojnë se kanë gjetur njohje të reja nëpërmjet rrjeteve sociale. Numri i miqve në profil varion për pjesën më të madhe, nga 100-200 persona, përfshirë këtu familjarët. Të pyetur nëse prindërit janë dakord me faktin se ata kanë një profil në rrjetet sociale, 60% i janë përgjigjur me po. Rreth 24% e fëmijëve kanë pranuar se prindërit nuk janë dakord, ndërsa 8% e tyre se nuk e dinë fare mendimin e prindërve për këtë çështje. Nga përgjigjet e fëmijëve rezulton se janë rreth 4% e prindërve që kanë vetë profile në Facebook dhe numri i tyre sa vjen e rritet.