Ndërkombëtarët, ndarja e Kosovës si zgjidhje?

Ndërkombëtarët, ndarja e Kosovës si zgjidhje?

Komuniteti ndërkombëtar po i konsideron tri opsione si zgjidhje të mundshme të marrëveshjes mes Prishtinës e Beogradit: ndarjen e Kosovës, status quon dhe moderin e Gjermanive. Kështu shkruan e përditshmja serbe “Blic” duke u thirrur në burime nga qeveria e Serbisë.
Qëndrimi zyrtar i Serbisë në negociatat me Prishtinën është në pajtim me Kushtetutën e Serbisë dhe qëndrimi i saj është që Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Megjithatë, Beogradi pret që çështjet e statusit do të diskutohen përbrenda dialogut, sidomos statusi i ardhshëm i veriut të Kosovës.
“Ndarja nuk përjashtohet si një zgjidhje e mundshme e arritur përmes dialogut”, i ka thënë burimi gazetës. Megjithatë,, siç shkruan “Blic”, kjo çështje është ende larg.
Hans Ola Urstad, këshilltar në Ministrinë e Jashtme të Norvegjisë, i ka konfirmuar gazetës se ideja e ndarjes së Kosovës “ekziston në komunitetin ndërkombëtar” tani e një kohë të gjatë.
“Është me rëndësi të arrihet një zgjidhje që do t’i kënaqte të dy palët. Nëse Prishtina dhe Beogradi pajtohen rreth diçkaje, ajo marrëveshje do të mund të pranohej nga BE. Nuk mund ta kuptoj përse evropianët nuk po e përkrahin dhe pranojnë atë në të cilën do të pajtoheshin të dy palët”, ka thënë Urstad për “Blic”.
Një ish-ambasador i OSBE-së në Beograd mendon se një zgjidhje e tillë do të mund ta stabilizonte rajonin.
Megjithatë, zyrtarë të komunitetit ndërkombëtar, posaçërisht ata të BE-së, po e hedhin poshtë për momentin nocionin e ndarjes së Kosovës. Stefano Sannino, zëvendësdrejtor i Sekretariatit të Përgjithshëm për Zgjerim në Komisionin Evropian, thotë për “Blic” se “ajo temë nuk është fare në agjendën e BE-së”.
“Ndarja e Kosovës nuk është pranueshme për BE-në. Dialogu Prishtinë-Beograd është shumë i rëndësishëm për ne dhe ne presim nga ky dialog marrëveshje konkrete dhe zgjidhje karshi problemeve konkrete”, ka thënë Sannino.