Haluci nis aventurën në Facebook
Haluci po vjen! E në fakt ai tashmë ka ardhur, dhe është i gatshëm ta zhvilloj aventurën e tij nga qielli drejt Tokës.
Loja e shumëpritur e quajtur Haluci, e krijuar nga kompania interaktive Frakton me seli në Prishtinë, është aplikacion argëtues i programuar në flash dhe për momentin është e dedikuar për rrjetin shoqëror, Facebook.
Pamjet e para të kësaj loje u priten me mjaft entuziazëm nga adhuruesit e lojërave, kjo ishte shtytje që kjo punë të mos mbetet një skicë, por një projekt i realizuar mirë i cili së shpejti do të jetë i mundshëm edhe për platformat më të famshme mobile, për iOS dhe Android.
Loja ka karakter argëtues, një skenar aventure dhe një personazh të çuditshëm i cili nga të gjithë njihet me nofkën Haluci.
Ai ka një shoqëri e cila e ngacmon shumë për pseudonimin që ia kanë vënë, por mes të tjerash, ai ka një jetë mjaft normale. Ngjarjet marrin një rrjedhë krejt ndryshe në momentin kur Haluci gjen dhe e han kërpudhën magjike, e cila e largon atë krejtësisht nga realiteti i tij i përditshëm.
Për një moment, Haluci e gjen veten në qiellin e shtatë dhe mbetet atje për një kohë të gjatë. Por, ai nuk dorëzohet kurrë. Pas një periudhe, ai gjen fijen e rrugës për tu kthyer në shtëpi, me këtë rast edhe fillon aventura e tij për kthim në Tokë.
Për fillim, përdoruesit kanë hasur në probleme, pasi që klikimi i kësaj loje fillimisht ka qenë më i madh se që është pritur nga krijuesit.
Për më shumë: www.haluci.com