Hague: Britania gjithmonë përkrah Kosovës


Gjatë vizitës zyrtare në Londër, ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka takuar Ministrin e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, William Hague dhe ministrin për Evropë, David Lidington. Nikoqirët i kanë uruar mirëseardhje ministrit Hoxhaj, duke e siguruar atë se Mbretëria e Bashkuar edhe më tutje do të mbështes fuqishëm shtetin e Kosovës dhe perspektiven e saj evropiane.

Ministri Hoxhaj i ka informuar ata për procesin e shtetndërtimit, për progresin e brendshëm në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë si dhe ka kërkuar mbështetje të fuqishme në përmbylljen e procesit të njohjeve për Republikën e Kosovës, në integrimin e saj në Bashkimin Evropian dhe në reformat ekonomike.

Nga ana tjetër, ministri i Punëve të Jashtme i Mbretërisë së Bashkuar, William Hague ka thënë se Britania e Madhe gjithmonë ka qenë pranë popullit të Kosovës dhe do të jetë edhe në të ardhmen. Ai ka siguruar ministrin Hoxhaj se edhe më tutje shteti i tij do të angazhohet për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.

Edhe ministri për Evropë, David Lidington ka thënë se Britania e Madhe dhe Republika e Kosovës kanë marrëdhënie tradicionale. “Në këtë takim unë kam siguruar ministrin Hoxhaj se ne do ta mbështesim Republikën e Kosovën në procesin e integrimeve rajonale dhe ndërkombëtare”, ka thënë Lidington.

Në takim po ashtu është diskutuar për mundësinë e investimeve në Republikën e Kosovës nga biznese të fuqishme britanike, që do të ndihmonte zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe forcimin e lidhjeve me këtë shtet। AKTIV

Gjatë qëndrimit në Britani të Madhe, Ministri Hoxhaj ka takuar personalitete të larta dhe diplomatë të shteteve që ende nuk e kanë njohur Kosovën si dhe disa deputetë të Parlamentit britanik.