Kryetari i PS, Edi Rama ka vlerësuar atë që e ka quajtur “gjerdanin e fitoreve” të Partisë Socialiste në zgjedhjet lokale. Në një konferencë për shtyp të mbajtur para pak çastesh, Rama ka përshëndetur fitoren e arritur sipas tij në zona që vite më parë konsideroheshin bastione të PD.
“Fitoret e sotme kanë qenë spektakolare dhe gjerdani vazhdon të zgjatet. Falënderoj publikisht të gjithë fituesit dhe do të doja të fokusohesha tek ata të një sërë bashkish, duke e nisur nga fituesi i Fushë Krujës. Jam i bindur që qytetarët kanë bërë një investim të sigurtë për Gjon Bardhin. Gjithashtu përshëndes fitoren në Divjakë, Gjirokastër, Këlcyrë, Memaliaj, Gramsh, që deri më sot janë mbajtur pa asnjë sukses nga rivalët e dështuar, si dhe në Ballsh, Tepelenë, Ersekë, Krumë, Përmet dhe surprizën në Himarë”, ka deklaruar Rama.
Sipas liderit të opozitës, PS ka fituar gjithashtu në Pogradec, Elbasan, Lushnje, Korçë dhe në veçanti në Laç, “pas një ndasie 20-vjeçare”, si dhe në disa komuna të Shkodrës.
“Nesër do të kemi fitore të tjera”, ka shtuar Rama, i cili ka denoncuar si “të shëmtuar e të turpshëm” rrethimin që sipas tij po i bëhet Tiranës dhe Durrësit nga njerëzit e rivalëve politikë.
Ndërkohë, kandidati demokrat Lulzim Basha, në një dalje publike menjëherë pas asaj të rivalit të tij, ka kritikuar palën tjetër për zhvlerësimin që sipas tij po u bën rezultateve zyrtare, që sa vinë e ngushtohen.
Basha ka bërë thirrje për durim deri në përfundimin e numërimit, duke shprehur bindjen në fitoren e tij.
“Është zhgënjyes zhvlerësimi i rezultateve nga pala tjetër në zona ku favorizohet PD. Ka 180 mijë vota për t’u numëruar, që duhet të numërohen me transparencë. Bazuar në të dhënat që po konsolidohen çdo orë, kam besim në konfirmimin e fitores së shumëpritur në Tiranë”, ka deklaruar Basha.
Kandidati demokrat ka shprehur mirënjohjen e tij për numëruesit dhe vëzhguesit, që sipas tij kanë bërë një punë plot përkushtim në këtë fazë të rëndësishme të procesit. “Falënderoj komisionerët demokratë për durimin e treguar në qendrat e votimit që favorizojnë Partinë Socialiste”, ka shtuar Basha. /tch/
Ora 21:50 - Në Tiranë Edi Rama i PS-së kryeson me 25719 vota, ndërsa Basha i PD ka 24998 vota. Dallimi është 721 vota në të mirë të socialistit.
Gjithsej duhen numëruar 485 kuti. Aktualisht jane numeruar 100 kuti votimi.
Në bashkinë Kamëz janë numëruar 15 kuti nga 21. Rakip Suli i PS ka 3782 ndersa kandidati PD, Xhelal Mziu ka 4247 vota.
Ora 20:56- Në Tiranë Edi Rama i PS kryeson me 25559 vota, ndërsa Basha i PD ka 24819 vota.
Gjithsej duhen numeruar 485 kuti. Aktualisht jane numeruar 97 kuti votimi.
Në bashkinë Kamëz janë numëruar 15 kuti nga 21. Rakip Suli i PS ka 3782 ndersa kandidati PD, Xhelal Mziu ka 4247 vota. /bw/
Vazhdon numërimi i votave nga zgjedhjet lokale në Shqipëri. Në orët e mbrëmjes, në Tiranë është zvogëluar diferenca ndërmjet Edi Ramës së PS-së dhe Lulzim Bashës së PD-së.
Deri në orën 20:25 nga 96 kutitë e votimeve, Edi Rama i PS kryeson me 24867 vota, ndërsa Basha i PD ka 24393 vota.
Gjithsej duhen numëruar 485 kuti. Aktualisht janë numëruar 96 kuti votimi.
PS e koalicioni “Aleanca për të Ardhmen “fiton Gjirokastrën e Sarandën, kryeson edhe në Berat, Vlorë, Fier, Elbasan, Durrës, Fier, Korçë. PD e Aleanca për Qytetarin kryeson në 3 Shkodër, Kukës e Lezhë. PS fiton dhe në Himarë kundër Bollanos. Përfundon numërimi ne disa bashki te dyta.