Revista “Forbes” ditë më parë publikoi listën e automobilave më të shtrenjtë në botë. Revista në fjalë është e njohur për publikimin e listave të njerëzve më të pasur dhe më me ndikim më botë.
Kjo revistë deri më tani është marrë me tema të ndryshme nga hapësira e auto-industrisë, ndërsa lista e dhjetë automobilave më të shtrenjtë në botë është vetëm vazhdim i asaj që kjo me vite është duke u ofruar lexuesve të saj.
Bugatti Veyron SuperSport
Bugatti Veyron SuperSport është bindshëm i pari në këtë listë. Çmimi prej 1.391.000 euro është bukur i madh, por pronari i saj njëherësh e fiton edhe njërin ndër automobilat më të shpejtë në botë. Motori i tij 8.0-litra W16 me 1200 KF siguron shpejtësinë maksimale prej 431 km/h dhe përshpejtimin deri në 100 km/h për 2.5 sekonda.
Koenigsegg Agera
Koenigsegg Agera me çmimin prej 1.122.000 euro e zuri vendin e dytë. Këtë veturë suedeze e prodhuar nga kombinimi i aluminit dhe karbonit e vë në funksion motori 4.7-litra V8 me 910 KF. Falë këtij agregati ky automobil sportiv shpejton deri në 100 km/h për 3.1 sekonda, ndërsa shpejtësia maksimale e tij është 390 km/h.
Maybach Landaulet
Maybach Landaulet, i cili është prodhimi i “Mercedes-it” kushton 1.050.799 euro, dhe me këtë çmimi e zuri vendin e tretë. Kjo makinë e posedon motorin V12 i cili zhvillon 612 KF dhe 1000 Nm të momentit rrotullues. Ky model luksoz është prodhuar duke u bazuar në Maybach 62S.
Pagani C9
Në vendin e katër me 970.000 euro u gjend Pagani C9. Kjo makinë sportive e ka motorin e “Mercedes-it” V12 të cilin për nevojat e këtij automobili e përpunoi AMG. Pagani C9 do t’i ketë “gullwing” dyert, shasia e tij do të prodhohet nga kombinimi i titanit dhe karbonit, ndërsa ekskluzivitet shtesë këtij modeli do të duhej t’i siguronte prodhimi i limituar, do të prodhohen vetëm 40 copë.
Ferrari F70
Vendi i pestë po ashtu i takoi automobilit i cili ende nuk e ka parë dritën. Kështu në vendin e pestë u rendit pasardhësi i modelit Ferarri Enzo-s, Ferrari F70 i cili do të kushtojë 650.000 euro. Sipas pohimeve të fabrikës kjo makinë në treg pritet të arrijë në vitin e ardhshëm.
SSC Ultimate Aero
I gjashti në listën e “Forbes-it” u rendit SSC Ultimate Aero i cili kushton 560.000 euro. Ky automobil deri në paraqitjen e Veyron SuperSport e mbajti titullin e automobilit më të shpejtë në botë. Automobilin e prodhuar nga karboni e vë në funksion motori 6.3-litra V8 me 1.287 KF. Edhe pse kjo kurrë nuk është dëshmuar në praktikë, teorikisht shpejtësia maksimale e këtij automobili është 439 km/h.
LeBlanc Mirabeau
Vetura nga Zvicra LeBlanc Mirabeau e zuri vendin e shtatë me çmimin prej 545.000 euro. Këtë makinë e vë në funksion motori 4.8-litra V8 i ndihmuar me super-mbushës falë të cilit siguron 700 KF dhe 850 Nm të momentit rrotullues. Ata që dëshirojnë të kenë pajisje tjera të cilat do ta bëjnë edhe më sportiv si dhe lëkurë në kabinën e tij duhet të paguajnë shtesë.
Ferrari SA Aperta
Vendi i tetë është rezervuar edhe për një Ferrari, për modelin Ferrari SA Aperta i cili kushton 389.000 euro. Kabrioletin e bazuar në modelin 599 GTO e vë në funksion motori V12 me 700 KF. Kjo forcë është e mjaftueshme që deri në shpejtësinë prej 100 km/h të arrijë për 3.5 sekonda. Edhe kjo makinë do të prodhohet në seri të limituar, gjithsejtë 80 copë.
Lamborghini Murcielago LP670-4 SuperVeloce
Vendi i parafundit në këtë listë i takoi edhe një makine italiane, bëhet fjalë për Lamborghini Murcielago LP670-4 SuperVeloce. Kjo veturë është e pajisur me motorin 6.5-litra V12 i cili siguron 670 KF, dhe ky deri në 100 km/h mund të arrijë për më pak se 3.2 sekonda. Nëse dëshironi ta blini këtë makinë duhet t’i ndani hiq më pak se 340.500 euro.
Rolls-Royce Phantom Drophead Coup
Automobili i dhjetë në listën e “Forbes-it” është Rolls-Royce Phantom Drophead Coup i cili kushton 334.000 euro. Këtë kabriolet luksoz e vë në funksion motori 6.7-litra V12 me 453 KF. Por, nuk është motori që e fut në listën e automobilave më të shtrenjtë, por shumë elemente që janë bërë me dorë.