Fitorja në Tiranë mbetet larg certifikimit zyrtar. Përveç nevojës për një shpallje vendimi nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, duket se edhe zgjidhja e ballafaqimit procedural juridik do të kërkojë kohën e vet, deri në finalizimin e plotë të 8 majit dhe produktit të tij.
Beteja elektorale e Tiranës me siguri që do të zgjidhet në Kolegjin Zgjedhor, duke hapur një etapë të dytë që e zbeh vlerën e fitores në kuptim të njohjes dhe respektimit reciprok. Fletët e kontestuara dhe mandej të shpallura të pavlefshme, pra të papërfshira në rezultat, sipas të gjitha gjasave, do të jenë pika e fortë e kërkesës ankimore që do të formalizohet nga secila palë që do të rezultojë humbëse.
Kërkesë për rivlerësim fletësh ose kërkesë për pavlefshmëri, që paralajmërohet edhe për Gjirokastrën dhe Elbasanin, zgjedhjesh në mbarë Tiranën. Të dyja opsionet legjitimohen nga fakti se diferenca mes të dy kandidatëve është me vetëm 10 vota. Sa i përket një kërkese për rivlerësim të fletëve të pavlefshme, pala humbëse do të referojë vendimin e Komisionit të Zonës së Administrimit Zgjedhor, pra do të kundërshtojë tabelën përmbledhëse të prodhuar prej këtij organi me pretendimin se numri i fletëve të kontestuara dhe të shpallura të pavlefshme është i madh dhe ndikon në rezultat.
Për shkak të afateve kjo kërkesë mund të vihet në lëvizje vetëm për dy njësi; KZAZ e njësisë bashkiake nr. 5 dhe KZAZ e njësisë bashkiake nr. 8. Neni 124 i Kodit Zgjedhor detyron këtë kufizim, pasi sipas tij “çdo parti politike, pjesëtare ose jo e një koalicioni dhe kandidati i propozuar nga zgjedhësit kanë të drejtë të ankohen në KQZ kundër vendimeve të KZAZ-së, që cenojnë interesat e tyre të ligjshëm, brenda 3 ditëve nga data e shpalljes së vendimit...”.
Aktualisht vetëm këto dy njësi lejojnë depozitimin e një kërkese ankimore për arsye se në të tjerat, afati i lejuar prej tri ditësh është konsumuar. Nga kjo pikëpamje, vetë KQZ-ja është e detyruar të bëjë një përllogaritje në bazë të tabelave të Qendrave të Votimit dhe për rrjedhojë të japë një shpallje paraprake të rezultatit. Po kështu neni 138 i jep të drejtë KQZ të bëjë rinumërim në funksion të marrjes së vendimit dhe kësaj radhe, pretendimi për fletë pavlefshme vjen brenda përkufizimit të “fletëve të caktuara”, një term i cili solli probleme serioze në vitin 2009, kur dy anëtarë të majtë të komisionit kërkuan rinumërim, por që u rrëzuar për shkak të mospërcaktimit në kërkesën e tyre të kategorisë së fletëve që kërkohej rinumërimi.
KQZ-ja, me kërkesë të palëve ose kryesisht, kur çmon se për dhënien e vendimit është i nevojshëm rinumërimi dhe/ose rivlerësimi i votave të caktuara, kryen, në praninë e palëve, rinumërimin dhe/ose rivlerësimin e votave dhe pasqyron përfundimin në procesverbalin e mbledhjes së KQZ-së dhe vendimin përkatës të saj. Në rast se kërkesa për rinumërimin dhe/ose rivlerësimin e votave të caktuara bëhet nga dy anëtarë të KQZ-së, ajo është e detyruar të bëjë rinumërimin dhe/ose rivlerësimin e votave të kërkuara”, thuhet në pikën 3 të nenit 138.
Opsioni i dytë që mbetet është kundërshtimi i vetë vendimit të KQZ për dhënie rezultati, pra kundërshtimi i tabelës së saj përmbledhëse fillimisht në KQZ, nëse ajo bëhet për zbatimin e procedurave të ndjekura për hartimin e tabelës dhe mandej në Kolegjin Zgjedhor si hallkë e fundit.
Në kuptim të afateve ligjore është e qartë se një mekanizëm ankimor në këtë drejtim do të zgjasë shumë dhe ka të gjitha shanset që të bëhet i mundur për arsye të parregullsive të vërejtura në procesin e numërimit, por edhe ngushticën në rezultatin mes palëve. Sa i përket kërkesës për pavlefshmëri në një plan të gjerë, kjo duket të ketë pak mundësi për t’u vënë në lëvizje, po të merret në konsideratë vendimmarrja në KZAZ dhe deklarimi politik i palëve. Përndryshe, i gjithë procesi do të dëmtohej edhe në planin politik, përveçse atë procedural dhe teknik, thuhet në një analizë të botuar të dielën në të përditshmen Shqip.