Barroso: Kosova është shtet fqinj i Serbisë

Prishtinë, 20 maj – Në Bashkimin Evropian tashti ekzistojnë shqetësime sa i përket emigracionit ilegal, njerëzve që kërkojnë azil dhe që nuk e meritojnë këtë. Kështu që tashti në BE janë më të shqetësuar sa i përket kësaj çështjeje sesa që kanë qenë të themi para dy vjetësh. Kjo është e vërteta, por kjo nuk është kundër Kosovës,
tha kryetari i Komisionit Evropian Jose Manuel Barroso në një intervistë ekskluzive për KTV-në, duke u përgjigjur në pyetjen rreth liberalizmit të vizave për kosovarët.
Duke folur për dialogun Kosovë-Serbi, Barroso tha se kusht i Serbisë për përfarim në BE është normalizimi i marrëdhënieve me fqinjët. 
“Ky është një kusht për anëtarësim të çdo vendi në BE, duke përfshirë edhe Serbinë, është normalizimi i marrëdhënieve me fqinjët e saj”, tha kreu i Komisionit Evropian, ndërsa në komentin e intervistuesit se Kosova është fqinje e Serbisë, Barroso u përgjigj: “Sigurisht. Kjo është shumë e rëndësishme për ju. Është një kusht për anëtarët e BE-së që të kenë marrëdhënie të mira fqinjësore dhe të kenë normalizim të marrëdhënieve. Mënyra më e mirë për të filluar këtë është zgjidhja e problemeve konkrete që ekzistojnë. Pas bisedimeve të mia të djeshme në Beograd dhe atyre të sotmeve në Prishtinë, mendoj se ekziston dëshira e mirë për këtë. Shpresoj që ju shumë shpejt të tregoni rezultate konkrete”, tha Barroso. 
Intervistën e gjatë të tij dhënë KTV-së mund ta lexoni të plotë edhe në “Kohën Ditore” të së shtunës.