Thaçi i jep Pacollit mandat mbi Hoxhajn


Prishtinë, 10 maj – Ende pa bërë asnjë ditë jetë, strategjia e lobimit për njohje të pavarësisë së Kosovës ka hasur në pengesë – madje prej vetë Qeverisë së Kosovës.
Marrëveshja e re e koalicionit qeverisës mes Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës Kosova e Re i ka dhënë kompetenca shtesë në çështjen e lobimit zëvendëskryeministrit të parë, Behgjet Pacolli, gjë që nuk është marrë parasysh në kohën kur strategjia origjinale është hartuar.
Drafti për lobim, i hartuar nga disa ambasadorë kosovarë në bashkëpunim me ministrin e Jashtëm, Enver Hoxhaj, i është dorëzuar presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, në mënyrë që në kapacitetin e udhëheqëses së politikës së jashtme të Kosovës, edhe Presidenca të japë kontributin e vet në strategji. Mirëpo, siç shkruan sot “Koha Ditore”, dokumenti ku bëhet analizë e detajuar e shteteve që nuk na kanë njohur, e edhe jepen instruksione se çfarë qasjeje duhet që të ketë Kosova ndaj këtyre shteteve, ka mbetur në gjysmë. Ai po pret përgjigjet nga Presidenca dhe institucionet e tjera, në mënyrë që pas dy javësh të miratohet në qeveri.
Ndërkohë në marrëveshjen e re për koalicion PDK-AKR parashihet që lobimi të bëhet ndryshe nga strategjia.
Në marrëveshjen e re madje presidentja nuk figuron si udhëheqëse e procesit, por ish-presidenti, tash zëvendëskryeministër i parë, Behgjet Pacolli.
Sipas marrëveshjes, do të krijohet një “task forcë” për lobim, e që do të udhëhiqet nga Pacolli. “Task forca”, sipas marrëveshjes, do të ketë për qëllim zbatimin e strategjisë për lobim.
“Zëvendëskryeministri i parë ka të drejtë që të krijojë një ‘task forcë’ që përfshin ministrin e Jashtëm, të Integrimeve, atë të Diasporës, i cili do të punojë për harmonizimin dhe koordinimin e veprimtarisë së tyre në funksion të strategjisë së njohjeve”, thuhet në marrëveshjen e re mes PDK-së dhe AKR-së.
Për më shumë, marrëveshja i jep Pacollit të drejtën e ndryshimit të strategjisë.
“Zëvendëskryeministri ka të drejtë të punojë për zbatimin, eventualisht dhe rishikimin apo përshtatjen e kësaj strategjie në mënyrë progresive në varësi të angazhimit të aktorëve të ndryshëm vendës dhe ndërkombëtarë”, thuhet në marrëveshje.
“Kësaj ‘task force’ mund t’i bashkohen dhe personalitete të shquara vendëse dhe ndërkombëtare, që kanë potencial suksesi në veprimtarinë për njohjen e shtetit të Kosovës”, thuhet në marrëveshje.
Marrëveshja që është bërë me qëllim të akomodimit të Pacollit, i jep atij të drejtë edhe që plotësisht të mbështetet në shërbimin diplomatik të shtetit të Kosovës nëpër botë, si dhe të drejtën të propozojë konsuj nderi në të gjithë globin, të cilët i shërbejnë jo vetëm veprimtarisë njohëse, por dhe asaj të nxitjes së investimeve të huaja në Kosovë dhe përmirësimit të imazhit.
Strategjia për lobim e hartuar nga ambasadorët dhe ministri i Jashtëm nuk e ka parashikuar rolin e zëvendëskryeministrit të krijuar nga marrëveshja mes PDK-së e AKR-së, e as krijimin e ndonjë “task force”.
Megjithatë zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Artan Behrami, ka thënë se nuk ka kurrfarë përplasjeje mes strategjisë dhe marrëveshjes për koalicion. Sipas tij, strategjia deri në detaje përcakton mënyrën e veprimit për shtimin e njohjeve për Republikën e Kosovës. Ministria e Punëve të Jashtme, sipas Behramit, do t`i pranojë të gjitha sugjerimet plotësuese për strategjinë.
“Punimet në strategjinë për lobim kanë përfunduar. Tani jemi në pritje të rekomandimeve të presidentes dhe të Parlamentit. Të gjitha këto rekomandime do të inkorporohen në Strategjinë për lobim, në mënyrë që ajo të jetë më gjithëpërfshirëse dhe më e plotë dhe do të jetë gati të jetë edhe publike dhe të miratohet edhe në Qeveri”, ka thënë Behrami.